Lajmet

Uji dhe dritat ende në mungesë për banorët e lagjes Tusuz

08 tetor 2014

EC Ma Ndryshe sot ka vijuar debatin e pestë me rradhë në kuadër të ciklit të debateve “Planifikim urban me pjesëmarrje”. Qëllimi i këtyre debateve është prezantimi i të gjeturave të fokus grupeve me shtatë grupe të komunitetit në Prizren për identifikimin e problemeve dhe përkthimin e kërkesave të tyre në plane konkrete për adresim në insitucionet përgjegjëse.

Debati i sotëm "Banorët e lagjes Tusuz dhe planifikimi urban në Prizren" solli në pah shqetësimet e shumta të banorëve të kësaj lagjeje lidhur me joformalitetin e saj si njësi territoriale dhe mungesën e trajtimit të saj në procesin e planifikimit urban. Në disa pjesë të lagjes Tusuz ende ka mungesë të ujit dhe rrjetit të kanalizimit. Ndërsa si shqetësime të përgjithshme të këtyre banorëve rezultojne të jenë: ndërtimet pa leje, furnizimi me energji elektrike, ndërimi i një shkolle për ciklin e ulët dhe ndërtimi i një shtëpie të kulturës.

Panelist i këtij debati ishte Hasan Hasani, drejtor i Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Naser Berisha, përfaqësues i banorëve të kësaj lagjeje.